Qofte Juvarllaqe nga tradita e kuzhinës Himarjote

0
222

Përgatitja e qofteve është padyshim një nga specialitetet më të shijshme të kuzhinës shqiptare.

Tradita e përgatitjes së tyre ndryshon sipas krahinave të ndryshme por shija të mrekullon patjetër njëlloj.

Të thjeshta, të kombinuara në supa apo salca të ndryshme, amvisat shqiptare me mjeshtërinë e tyre në kuzhinë shndërrojnë çdo recetë të qofteve në një pjatë fantastike që të tërheq menjëherë drejt tryezës.

AgroWeb.org sjell më poshtë traditën e nënave himarjote, të cilat spikasin me gatimet e tyre të mrekullueshme plot shije.

Quhen Qofte Juvarllaqe dhe janë një specialitet i kuzhinës së Himarës, specialitet i cili krahas vendasve ka magjepesur çdo turist që i ka provuar.

Këto qofte shoqërohen në mënyrë fantastike me patate të furrës apo perime të pjekura, sallata të freskëta të stinës e zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare siç janë turshitë etj

Përgatitja e Qofteve Juvarllaqe në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

250 gr mish i grirë

2 kokrra vezë

2-3 lugë gjelle me oriz

1 kokërr qepë mesatare

1 lugë gjelle gjalpë

1 lugë gjelle miell gruri

1 gotë qumësht

Kripë

Piper

Majdanoz

Përgatitja

Mishi i grirë përzihet me orizin gjysmë të zier, të bardhat e vezëve, kripë, piper, qepë të grirë në rende dhe majdanoz të grirë.

Masa ndahet në qofte, u jepet formë e rrumbullakët  dhe vendosen të ziejnë në ujë të valuar me kripë dhe lëng limoni.

AgroWeb.org ju sugjeron që qoftet t’i hidhni në ujin e valuar pjesë-pjesë, pasi në të kundërt u prishet forma.

Pastaj hiqen me lugë dhe lëngu i tyre ruhet mënjanë për të përgatitur salcën.

Në një tenxhere kaurdiset mielli me gjalpë derisa të zverdhet pak. Shtohet qumështi, lëngu i qofteve, hidhet pak kripë, përzihet mirë dhe lihet që të ziejë pak.

Kur salca e përgatitur hiqet nga zjarri, pritet me të verdhat e vezëve dhe me kujdes vendosen qoftet brenda. Sipër u hidhet gjalpë i skuqur lehtë dhe majdanoz i grirë hollë.

Shërbehen të ngrohta dhe me pak lëng limoni sipër.

//agroweb/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here