Kulaçi i ngrohtë i shtëpisë – Aroma e shijes tradicionale

0
175

Fundjavat e kaluara në fshat, ose në shumë prej zonave më të bukura turistike të Shqipërisë, nuk mund të imagjinohen pa kulaçin, një bukë e ngrohtë, e shijshme që nuk ka të krahasuar me ato që jemi mësuar të blejmë nëpër furrat e bukës.

Është përbërësi kryesor i përsheshit të famshëm me Gjel Deti apo Pulë.

Por është fantastik gjithashtu, teksa shoqërohet i ngrohtë me pak gjalpë të freskët dhe djathë të bardhë.

Tradicionalisht kulaçi përgatitej nga nënat apo gjyshet shqiptare në ndonjë rast feste të veçantë, përfshirë këtu edhe darkën e Vitit të Ri, por gjithashtu edhe kur në shtëpi vinin miq e mysafirë.

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë për përgatitjen e kulaçit në kushtet e shtëpisë.

Përgatitja e Kulaçit në Shtëpi

Përbërësit 

1 kg miell

2 kokrra vezë

1 lugë gjelle me kripë

1 lugë çaji sodë buke

500 gramë kos

Përgatitja e kulaçit

Mielli hidhet i gjithi në një enë të gjerë.

Në mesin e miellit hapet një vrimë ku mund të shtoni sodën e bukës dhe kripën.

Më pas shtoni vezët e plota ndjekur nga kosi.

Ju mund të zgjidhni kos dhie ose dele për këtë recetë.

Përziejeni miellin me të gjithë përbërësit e tjerë duke përdorur një lugë druri.

Shtoni edhe pak ujë që të lehtësoni formimin e brumit të kulaçit.

Më pas hiqeni lugën dhe punojeni masën me duar deri sa brumi i krijuar të jetë i njëtrajtshëm.

Pjekja e kulaçit

Kur brumi të jetë forcuar, jepini formën e një topi dhe punojeni sërish me duar.

Hiqeni brumin nga ena dhe vendoseni në sipërfaqen e gurtë ose të mermerit që keni në kuzhinë.

Sekreti i një kulaçi të shijshëm qëndron tek përpunimi i vazhdueshëm dhe i njëjtrajtshëm i brumit.

Më pas merrni një tepsi rrethore ose drejtkëndore dhe lyejeni me vaj.

E gjithë sipërfaqja duhet të jetë e yndyrosur mirë por jo duke e tepruar.

Merreni brumin dhe futeni në tepsi duke e shtrirë me dorë deri sa të puthitet në çdo cep të sipërfaqes së enës së pjekjes.

Pasi brumi i kulaçit të jetë përhapur mirë, përdorni një pirun të pastër për t’i dhënë forma dhe trajta sipërfaqes së tij.

Futeni tepsinë në furrë dhe piqeni për 30 minuta në 250-400 gradë.

Me këtë brumë ju mund të përgatisni një kulaç të madh ose kuleçë të vegjël.

Përdorimet e kulaçit

Kur ta nxirrni nga furra, kulaçin mund ta prisni në copa të mëdha dhe ta shoqëroni me djathë, turshi, kos ose gatime të ndryshme shtëpie.

Kjo recetë përshtatet shumë edhe me gatimin e gjelit të detit.

Kulaçin mund ta gatuani edhe me miell gruri, thekre ose misri për një ushqim më të shëndetshëm.

Sipas nevojës mund të përdorni edhe vaj ulliri ekstra të virgjër për një shije më të pasur.

//agroweb/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here