Si ndryshojnë miqësitë me kohën moderne dhe ndryshimin e statusit

0
22

Javën e kaluar u mblodhëm në shtëpinë e një mikeshe dhe gjatë darkës, plot mish edhe me këtë vapë, dikush pyeti për një shoqe, që kam pothuajse dy vite që nuk takoj, shoqe e përbashkët e grupit të darkës. Nëse para dy vitesh do kisha menduar që nuk do e takoja dhe nuk do rrija më me të nuk do më dukej e mundur. Por, ja që ndodhi.

Boshllëku informativ
Mbasi mbaroi darka dhe isha rrugës për në shtëpi, mendova dhe njëherë për shoqen e përbashkët, dhe se sa keq më vjen që ai raport është mbytur. Kështu që vura re që në shoqërinë tonë moderne, kemi shumë për të thënë kur mbaron një dashuri, dhe pothuajse asgjë kur mbaron një shoqëri. Mendoje- më shumë se 70% – edhe se nuk ka të dhëna shkencore të sakta- e filmave/këngëve/artikujve bazohen mbi traumën që shkakton ndarja apo atrofia e një dashurie. Në këtë mënyrë duket sikur nga ana teorike të paktën jemi të përgatitur për lidhje jo stabile dhe për çrrënjosjen e dashurisë së përjetshme; kemi çmitizuar biles dhe një nga ligjet romantike me të cilat jemi rritur: “ … dhe jetuan përgjithmonë të lumtur”.
Qëndron fakti që mbyllja e një miqësie është shumë pak e trajtuar. Edhe se, sipas meje nuk është një ndodhi, më e rrallë se sa ndarja nga dashuria e jetës. Nuk besoj që keqkuptimi, investimi emotiv i ndryshëm, apo zhgënjimi që vijnë nga një mik/mikeshë janë më të vogla se sa nga një partner. Por, si ka mundësi pra, që ka libra dhe manuale se si të sillemi kur ndahemi nga partneri dhe shumë pak info për zinë nga shoqëria ?

Fat i keq në dashuri/ fat i keq në miqësi
Është e vështirë të pyesësh veten. Duket sikur ka një turp më të madh kundrejt dështimeve në miqësi. Duket sikur është më e pranueshme të flasësh për dështimet në dashuri se sa krizat në shoqëri. Në dashuri mund të mos kesh fat, e dimë të gjithë, ose të gjithë kemi ndonjë shok a shoqe të pafat në dashuri. Por në shoqëri ky justifikim nuk pin ujë. Fat në miqësi nuk ekziston. Nëse nuk ke partner nuk je me fat, nëse nuk ke miq je legen.

Të gjitha gratë
Ndërkohë që kthehesha në shtëpi më vini nder mend gjithë miqësitë që kam zhvilluar në vitet e kaluara, nga të cilat nuk ka më gjurmë. A thua t’i ketë ndodhur dhe dikujt tjetër kjo gjë ? Pra, njerëz që kanë humbur me kalimin e viteve. Njerëz që për një arsye apo tjetër, më kanë lënë të iki dhe që kam lënë të ikin ? Për të gjitha ato raporte që janë konsumuar nga një dukje indiferente, nga një mëri budallaqe nga një evolucion i pashmangshëm. Lidhje intense por të shuara , që lejnë mbrapa kujtime të venitura, të një rinie ku zhvilloheshin aktivitete dhe ku takoheshin shumë njerëz, Kujtime, të objekteve të dhëna dhe kurrë të marra mbrapë, objekte që ke marrë dhe nuk ke kthyer kurrë, like në Instagram. Aty ku, sot, shikon kush u martua, kush u bë me fëmijë, kush jeton jashtë e kush vazhdon të jetë i/e njejtë.

Miqësia sentimentale
Ajo që dua të them është që mbyllja e një miqësie, sidomos me një grua, është shumë më e vështirë. Me djemtë nga një anë është e pakontestueshmë për arsye rritje dhe zhvillimi. Me shoqet është më e vështirë, ndonjeherë dhe mos të kaplohesh nga krizat e inatit dhe xhelozise dhe mbas disa vitesh, vetëm sepse dikush permendi emrin e tyre. Si mundet nga bythë e brekë të kalosh në injorim total ? Ndoshta sepse këto lloj miqësishë njëherë që mbarojnë nuk rilindin përsëri, edhe me dëshirën më të madhe për sqarim dhe bisedim. Ajo kafja që do të pihet një ditë shtyhet sepse disa fakte janë më të vështira për t’u shpjeguar, sepse disa miqësi nuk i përgjigjen logjikës sentimentale edhe se nuk janë raporte dashurie. Në këto raste është vështirë të ngelesh mik.Përfundimi
Është e thjeshtë të thuash që këto ndoshta nuk ishin miqësi të vërteta. E ndoshta nga një anë nuk ishin, por sipa meje ka gjithnjë më shumë. Miqësia është një ndjenjë komplekse si dashuria, e formuar nga shumë përbërës: kompliciteti, ngjashmëria, dashuria, miqësia, legjitimiteti, varësia, posesivitet, ndershmëria, suporti, besimi, bashkimi, rehatia, rastësia. Të gjithë këto elemente janë në ekuilibër,duke lejuar raportin të vazhdojë. Disa herë faktorët ndryshojnë gramaturën, duke prishur ekuilibrin. Ndonjëherë ka dashuri, por ky nuk është faktori kryesor në shoqëri, sepse vjen dikush tjetër që të pëlqen më shumë. Ndoshta, nuk ka ndonjë manual këshillash për mbarimin e miqësisë sepse është i njejtë më atë të dashurisë. Ndoshta, sepse janë të ngjashme. Vjen një moment e nuk jeni më bashkë. Kjo nuk do të thotë që nuk ka qënë e bukur, e vërtetë, speciale, por që nuk kjo nuk ka funksionuar përgjithmonë.

Post- Përfundimi
Që të mos trishtoj veten dhe ju, kam vendosur të fokusohem të miqësitë e momentit: mashkullore, femërore, gay apo etero, ato të sapolindura, ato të martuara, apo ato jashtë shtetit. Ato që para fëmijës së tyre të thërrasin “teta” duke të krijuar frikë dhe gëzim; ata që shkon i merr në shtëpi apo që vijnë të marrin për të ikur të kafja e njejtë, ata që sa herë vijnë me pushime duan të të takojnë, ato që vijnë për të të takuar, ato që kanë gjithmonë një këshillë për të të dhënë, ato që të pyesin cilat janë risitë e tua, ato që duan gjithmonë një këshillë për të dëgjuar e jo për të ndjekur. Ato tek të cilat nuk kemi dyshime, pavarësisht ndryshime që jeta sjell.

//living/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.