Qepujkat – Mjeket e vogla të zemrës

0
22

Ato janë të vogla, por bëjnë një punë të madhe. Po flasim për qepujkat, që njësoj si qepët dhe hudhra kanë vlera të forta shëndetësore dhe forcojnë imunitetin.

Që në lashtësi, qepujkat janë përdorur gjërësisht në vendet e Mesdheut dhe më gjerë jo vetëm për vlerat ushqimore, por edhe ato aromatike. Ato kanë një aromë të fortë dhe të ëmbël duke i bërë ushqimet shumë të veçanta.

Por kjo nuk është arsyeja e vetmje përse duhet t’i konsumoni qepujkat aq të dashura. AgroWeb.org ju tregon se ato janë të mbushura me antioksidantë, vitaminë A, vitaminë C dhe shumë minerale.

Shqiptarët me kohë i përdorin qepujkat të freskëta, në gatime, por edhe si pjesë të turshive autentike të vendit.

Qepujkat e mrekullueshme shqiptare kryesisht vijnë nga tokat pjellore të Beratit. Qepujkat shqiptare i gjejmë në ngjyrë të kuqe ose të bardhë, njëlloj si edhe me simotrat e tyre, qepët.

Në mjekësinë tradicionale të disa vendeve të botës, qepujkat përdoren shumë për të shëruar një sërë plagësh të brendshme dhe të jashtme.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, qepujkat dhe qepët janë një efekt qetësues dhe freskues natyral për trupin. Kjo i bën ato jashtëzakonisht të mira për të ulur inflamacionin, zbutur dhimbjet muskulare, ulur enjtjet, etj.

Në ditët e sotme, qepujkat janë një kurë e mirë natyrale kundër radikaleve të lira. Ato shërbejnë edhe për të detoksifikuar trupin dhe ulur shanset e prekjes nga alergjitë ndaj ushqimit. Në botë qepujkat përdoren për të shëruar fytin e acaruar, fryrjet, infeksionet, etj.

Ndonëse të vogla, qepujkat kanë më shumë flavonoidë dhe antioksidantë se çdo anëtar tjetër i familjes së qepëve. Këto veti, i bëjnë qepujkat si ushqimin më të mirë anti-inflamator për të zvogëluar dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira dhe për të luftuar një sërë sëmundjesh kronike.

Njësoj si hudhra dhe qepa, qepujkat kanë dy armë të forta kundër sëmundjeve, përbërës fantastikë të sulfurit siç është sulfokside dhe flavonoidë të fuqishëm si kuercetina. Këta të fundit ndërveprojnë me enzimat e tretjes dhe shpërbëjnë natyralisht çdo ushqim që ne konsumojmë.

Për shkak të sasisë së lartë të sulfoksideve, vaji i qepujkave (por edhe i qepëve të tjera) konsiderohet si antidiabetik dhe antibiotik.

Kjo do të thotë që qepujkat ndihmojnë në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, parandalojnë rezistencën ndaj insulinës. Po ashtu luftojnë infeksionet bakteriale dhe virale, ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit në mënrë të natyrshme dhe parandalojnë trombozën.

Qepujkat bashkë me qepët dhe simotrat e tyre kanë aftësi të ngadalësojnë rritjen e qelizave kancerogjene madje dhe t’i shkatërrojnë ato, sidomos në rastet e kancerit të gjirit, stomakut dhe të zorrës së trashë.

Qepujkat mund të ulin tensionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit duke përmirësuar kështu qarkullimin e gjakut dhe zgjeruar enët e gjakut. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, qepujkat gjithashtu ndihmojnë në parandalimin e arteriosklerozës që shkatërron enët e gjakut. Inflamacioni është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve koronare, atakut në zemër etj, ndaj qepujkat duhet të bëhen patjetër pjesë e dietës suaj.

Qepujkat janë një burim i pasur kaliumi që luan një rol thelbësor në funksionimin e nervave dhe muskujve, përfshirë edhe një prej muskujve më të rëndësishëm, zemrën. Konsumimi i ushqimeve të pasura me kalium siguron një metabolizëm të shëndetshëm dhe një zemër të fortë.

Disa studime kanë treguar që përbërësit e qepujkave ndihmojnë në parandalimin e grumbullimit të yndyrnave në trup.

Studimet kanë treguar që konsumimi i qepujkave luan një rol pozitiv për elasticitetin e kockave. Gratë në moshë që konsumojnë shumë qepujka arrijnë të zvogëlojnë shanset për fraktura të kockave me 20 përqind.

Siç e thamë më lart, qepujkat janë anti-diabetikë natyralë. Sipas studiuesve, nëse njerëzit konsumojnë sasi të mëdha qepujkash ulin nivelin e sheqerit në gjak. Po ashtu bllokojnë çlirimin e insulinës në mëlçi.

//AgroWeb/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here