E kuqja apo e bardha? Cila qepë ka vlerat më të mëdha

0
73

Kur vjen puna tek qepët, konsumatorët kanë larmishmëri në zgjedhje. Kemi qepë të kuqe, të verdhë, ose të bardhë.

 

A keni menduar ndonjëherë se cila prej tyre është më e shëndetshme?

Shqiptarët e duan qepën kaq shumë saqë vendi ynë plotëson 90% të nevojave të tregut vendas.

Korça dhe Elbasani janë qytetet me prodhimtari më të lartë të qepës me 94.940 dhe 72.529 kuintal respektivisht.

Në nivel kombëtar, Shqipëria prodhon rreth 175.129 kuintal qepë në vit, duke u renditur në vendin e 66-të në botë.

Në vitin 2011, Shqipëria u rendit ndër vendet e para për konsumin e qepës duke thyer rekordet me konsumin e 33.3 kilogramë qepëve për frymë.

Të dy llojet e qepëve, si e bardha ashtu edhe e kuqja, konsiderohen si super ushqime. Ato luftojnë qelizat e dëmshme, virozat, bakteret dhe radikalet e lira.

Të shumtë janë ata që mendojnë se i vetmi ndryshim mes qepëve është paraqitja dhe shija, por sipas kërkimeve të AgroWeb.org ndryshimi mes qepëve të kuqe dhe atyre të bardha nuk qëndron vetëm tek ngjyra.

Qepët e kuqe përdoren të gjalla kryesisht në sallata, panine dhe salca. Ndërsa qepët e bardha kanë një shije më të butë.

Ndryshimi mes qepëve të bardha dhe të kuqe:

Vitaminat dhe mineralet

Të dy tipet e qepëve kanë shumë të përbashkëta. Niveli i glicemisë në to është i ulët dhe të dyja plotësojnë me 10 përqind nevojën ditore për vitaminë C dhe kalcium.

Vitamina C është e rëndësishme për prodhimin e kolagjenit, një proteinë që kufizon aktivitetin e radikaleve të lira në organizëm.

Përveç vitaminës C, të dyja qepët plotësojnë me 2 përqind nevojën ditore për kalcium, ndërkohë që vetëm qepa e kuqe plotëson me 2 përqind nevojën ditore për hekur.

Fibra

Në 100 gramë qepë të kuqe gjenden 2 përqind fibër, ndërkohë që në të njëjtën sasi të qepës së bardhë gjenden 1.2 gramë fibër.

Asnjëra prej qepëve nuk është burim i pasur fibre, e megjithatë të dyja plotësojnë nevojën për fibër me 14 gramë në 1000 kalori ose 28 gramë në 2000 kalori.

Nëse konsumoni më shumë fibër, atëherë do të jeni më pak të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës, diabeti, tensioni i lartë i gjakut, obeziteti dhe goditjet në tru.

Në përgjithësi, qepët kanë një shije të fortë karakteristike. Qepa e kuqe përmban shumë antioksidantë dhe konsiderohet fituese në përpjekjet për të holluar gjakun.

Për më tepër, qepa e kuqe përmban më pak sheqer në krahasim me qepën e bardhë.

Antioksidantët

Në përgjithësi, qepa e kuqe përmban më shumë antioksidantë se sa qepët e bardha, ndërkohë që në renditje, qepët e verdha janë të dytat.

Qepët e kuqe përmbajnë 415 nga 1917 mg flavonolë në krahasim me të verdhat të cilat përmbajnë 270 nga 1187 mg.

Një nga vlerat më të mira të qepës së kuqe është kuercetina, një polifenol që lufton ashpër radikalet e lira në organizëm.

Qepët e kuqe janë të pasura me anthocianinë që u jep edhe ngjyrën e ndezur. Studimet kanë provuar se qepët e kuqe përmbajnë 25 lloje të ndryshme anthocianine.

Hollimi i gjakut

Të dyja llojet e qepëve arrijnë të hollojnë gjakun falë flavonoideve dhe përmbajtjes së sulfurit.

Megjithatë, qepa e kuqe ka një efekt shtesë në hollimin e gjakut sepse është më e pasur me flavonoide.

Si të përfitoni më shumë prej tyre

Pjesa e jashtme e qepës përmban nivelin më të lartë të antioksidantëve, ndaj sigurohuni të mos e teproni me qërimin e qepës, dhe të mos hidhni shtresat më të pasura me vlera.

Një studim i kohëve të fundit tregoi se dy shtresat e para të qepës përmbajnë 75% të antioksidantëve.

Sigurohuni të konsumoni shumë qepë në dietën tuaj. Rekomandohet që të hani të paktën 3 qepë çdo javë.

Është e rëndësishme që të hani një larmi qepësh, por sigurohuni që të paktën një herë në javë të konsumoni një qepë të kuqe.

//agroweb/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.