Diamantet e krijuara nga njeriu do të shiten me një çmim shumë të ulët

0
2

Kompania më e madhe në botë që merret me gërmimin dhe shitjen e diamanteve do të nisë të shesë diamante të prodhuara në laborator. De Beers njoftoi se do të shesë këto gurë të çmuar të prodhuar nga njeriu me 1/10 e çmimit të diamanteve nga minierat.

Njoftimi vjen pasi kompania ishte shprehur shumë herë se nuk do të shiste kurrë këto lloj gurësh, megjithatë suksesi i rivalëve duket se e ka detyruar edhe De Beers t’i futet këtij biznesi.

Me markën e re të diamanteve, kompania synon të tërheqë klientë të rinj në moshë, të cilët tradicionalisht shpenzojnë më pak për gurë të çmuar. Kështu, tregu 80 miliardë dollarësh i gurëve të çmuar do të ndahet në një segment me gurë për bizhuteri për shtresat e mesme dhe gurë për unaza fejese apo bizhuteri luksoze drejtuar më të pasurve.

Ndryshe nga imitimet e diamanteve, si zirkonët, diamantet e prodhuara në laborator kanë të njëjtat karakteristika fizike dhe kimike si gurët që gjenden nëpër miniera. Ata prodhohen duke vendosur një farë karboni në një dhomë me mikrovalë dhe duke e tejnxehur atë në një top shkëlqyes në gjendje plazme. Nga procesi dalin copëza të cilat për disa javë kristalizohen duke u bërë diamante.

Kjo teknologji është aq e përparuar saqë ekspertët kanë nevojë për një makineri për të dalluar diamantet e vërteta nga ato të bërë nga njeriu.

Vitet e fundit janë krijuar disa prodhues diamantesh në laborator, madje një prej kompanive, e cila rrit diamante në Kaliforni është mbështetur edhe nga Leonardo DiCaprio.

Aktualisht një diamant 1 karat i prodhuar nga njeriu shitet për 4 mijë dollarë, ndërsa një diamant natyral shitet për 8 mijë dollarë. Diamantet nga laboratori i De Beers do të shiten vetëm për 800 dollarë për karat.

Sipas kompanisë, çmimi jashtëzakonisht i ulët krahasuar me konkurrencën vjen për shkak të teknologjisë që zotëron. De Beers ka nisur kërkimet për prodhimin e diamanteve në laborator që pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa ka përshpejtuar procesin në vitin 1953 pasi një kompani suedeze sintetizoi diamantin e parë.

 

//ekonomiaonline/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here